The Albanian Cinema Project
Connect with us
  • Home
    • Formal Statement
  • About
    • Albanian History
    • Our Team
  • Archives in Motion
    • FAQ >
      • AIM Workshops Program
      • AIM Expert Trainers
    • AIM Appeal
    • AIM Donors
    • Endorsements
  • News
    • Donate
  • Contact
Picture

Kinostudio Shqipëria e Re, në Tiranë, u themelua në vitin 1952 nga diktatori Enver Hoxha, me mbështetjen fillestare të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kompleks dikur bënin pjesë studiot filmike dhe arkivi kombëtar i filmit. Në ditët e sotme aty gjenden Qëndra Kombëtare e Kinematografisë, Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, si dhe një sërë studiosh të televizioneve të ndryshme shqiptare.
​






Numër special i revistës Kinokultura dedikuar kinemasë shqiptare
LEXONI KËTË NUMËR

Ndërthurja e Historisë Politike Me Historinë e Filmit

Picture
Harta e Gadishullit Ballkanik
Ashtu si në pjesën tjetër të Ballkanit, edhe në Shqipërinë e pas-Luftës së Dytë Botërore, partizanët komunistë luftuan pushtuesit e huaj dhe pas fitimit të luftës, vendosën një regjim komunist. Megjithatë, historia e Shqipërisë është unike ndër vendet e Europës Lindore. Pas përçarjes me Jugosllavinë dhe më pas me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha deklaroi se ideologjia Marksist-Leniniste mund të ishte e vetmja rrugë e vërtetë drejt komunizmit.

Pas një regjimi të rreptë Stalinist prej 50 vitesh, Shqipëria akuzoi pjesën më të madhe të vendeve socialiste të Europës Lindore si revizioniste dhe ndoqi një politikë të vetën të realizmit socialist. Komunistët ishin të bindur se izolimi i vendit ishte e vetmja menyrë për të ruajtur një regjim të pastër socialist.

Si rrjedhojë, influenca e huaj në kinemanë shqiptare manifestohej vetëm gjatë krisjeve të pakta në murin e hekurt që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës. Shfaqjet televizive nga vendet fqinje, sidomos Italia, ose vizitat e rralla të kineastëve të huaj, ishin momentet e vetme të kontaktit me kulturën e jashtme. Gjatë komunizmit prodhimtaria e filmave varej pothuajse plotësisht nga realizmi socialist. Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të hedhin poshtë historinë e tyre kinematografike, duke e cilësuar si një indoktrinim të gjatë ideologjik.

Kanë kaluar më tepër se 20 vjet që nga rënia e regjimit të Enver Hoxhës, e megjithatë ka ende një rezistencë të fortë për të riparë filmat e sponsorizuar nga shteti. Për këtë arsye shumë prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe rrezikojnë të dëmtohen përtej riparimit. Projekti i Kinemasë Shqiptare po punon për të ruajtur dhe restauruar këta filma dhe të krijojë mundësinë e shfaqjes së tyre për një publik vendas e ndërkombëtar duke nxitur shqiptarët dhe të tjerët t’i shohin me një sy tjetër. 


Një Përmbledhje E Historisë Së Filmit Shqiptar

Picture
TANA (1958)
Salla e parë e kinemasë u ndërtua në qytetin verior të Shkodrës, në gusht të 1912-ës, nga një kompani Austriake distribucioni, tre muaj përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë nga Turqia. Me përpjekjet e Kolë Idromenos, piktor dhe fotograf i mirënjohur, kjo sallë qëndroi e hapur deri në shpërthimin e luftës së parë botërore në 1914. 

Në vitin 1920 Kinema Përparimi u hap në qytetin bregdetar të Vlorës, dhe pas saj u hapën disa salla të tjera në Shkodër, Berat si dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Kur fashistët Italianë pushtuan Shqipërinë, në vend kishte 18 salla kinemaje. Gjatë këtij pushtimi, pati shumë përpjekje për të ndërtuar një industri filmi. Përpara se Gjermanët të pushtonin Shqipërinë, një kineast i ri, Mihallaq Mone (1917-1984), xhiroi disa dokumentarë të shkurtër dhe madje u përpoq të prodhonte filmin e parë shqiptar, TAKIM NË LIQEN. Në rol kryesor do të ishte ylli i kinemasë Rumune, shqiptari Kristaq Antoniu.

Me ardhjen në pushtet në 1944 të komunistëve, Enver Hoxha, nën udhëheqjen Sovjetike dhe Jugosllave, kuptoi shumë shpejt fuqinë e filmit si një mjet propagande. Dokumentari i parë shqiptar, KOMANDANTI VIZITON SHQIPËRINË E MESME DHE TË JUGUT, ndoqi hap pas hapi udhëtimin e diktatorin përgjatë vendit.

Fillimi i industrisë së filmit shqiptar u shënua në 10 Korrik 1952 me inagurimin e ndërtesës së ngritur nga sovjetikët, ‘Shqipëria e Re’, kompleksi i studiove filmike (Kinostudio) në periferi të Tiranës. Në këtë periudhë, studentë shqiptarë u dërguan për të ndjekur studimet në shkollat e filmit në Çekosllovaki dhe në Bashkimin Sovjetik. Mes tyre ishin dhe regjizorë të ardhshëm, si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika dhe Piro Milkani.

Filmi i parë artistik i prodhuar nga “Shqipëria e Re” është rezultat i bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik në vitin 1953, SKËNDERBEU. Filmi epik portretizon heroin kombëtar, që gjatë shekulllit të 15 zmbrapsi ushtrinë Turke duke i mbajtur larg kufijve shqiptar deri në vdekjen e tij. Realizimi i filmit u mor përsipër nga regjisori rus Sergei Yutkevich dhe në të luajnë disa aktorë shqiptar. Filmi përmban disa skena luftarake të mrekullueshme dhe fitoi Çmimin Ndërkombëtar në Festivalit e Kanës, në 1954.

Këtë film e pasoi një periudhë e begatë për kinematografinë shqiptare. Filmi TANA (1958), i regjisorit Kriataq Dhamo, është prodhimi i parë me staf krejtësisht shqiptar. Kjo vazhdoi edhe në dekadën vijuese me filma si DEBATIK (1961) dhe TOKA JONË (1964) të Hysen Hakanit. Filmi dramatik i vitit 1967, NGADHËNJIM MBI VDEKJEN, me bashkë-regji të Gëzim Erebara dhe Piro Milkani, solli në ekranin e madh Timo Fllokon dhe Rikard Ljarja në role protagonistë.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, si dhe përjashtimin nga Blloku Lindor,  Shqipëria krijoi aleancë me Kinën Maoiste. Pavarësisht revolucionit kinematografik nëpër botë, në Shqipëri filmi u përdor si mjet propagande pa asnjë vlerë të re stilistike. Megjithatë, disa filma u prodhuan me sukses pa qënë nën ndikimin e burokracive komuniste. Vlen të përmendet KAPEDANI (1972), komedia e suksesshme e Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafi, LULËKUQET MBI MURE (1976) me regji të Dhimitër Anagnosti dhe SKËTERRE 43 (1980) nga Rikard Ljarja.

Gjatë viteve 1975 dhe 1990 në Shqipëri janë prodhuar rreth 13 filma çdo vit, një numër i lartë duke marrë në konsideratë izolimin e vendit nga pjesa tjetër e botës. Një televizor, në atë kohë konsiderohej ende si luks, ndaj ndjekja e shfaqjeve ishte shumë e lartë duke arritur në 20, 000, 000 bileta të shitura në vit. Kjo do të thotë se çdo banor shikonte mesatarisht 10 filma në vit.

Që prej filmit të parë, TANA (1958), deri në vitin 1995, në Shqipëri janë prodhuar 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar. Si pasojë e regjimit të ashpër komunist u bë e mundur të ruhej pothuajse gjithcka e prodhur në Shqipëri që prej vitit 1952, filma artistikë, me metrazh të shkurtër, dokumentarë, të animuar dhe kronika të ndryshme. Arkivi ende ruan fotografi, postera, printime, skenarë, shënime, kolona zanore dhe shumë elemetë të tjerë, të cilët zakonisht humbasin kur ndahen nëpër vendndodhje të ndryshme.

Kjo është një nga arsyet pse transferimi i materialeve në një vend më të sigurtë është thelbësore për të siguruar ruajtjen e këtyre dokumentëve të kinemasë shqiptare.

Dy dekadat e fundit të tranzicionit, që prej rënies së sistemit komunist në 1991, kanë qënë mjaft të vështira për kinemanë shqiptare. Megjithëse “Shqipëria e Re” u kthye në Albafilm Studio, prodhimi i filmave që prej viteve ‘90 u reduktua ndjeshëm, deri në një ose dy filma në vit. Në 1996 Qëndra Kombëtare e Kinematografisë (QKK), e njohur ndryshe si Qëndra e Filmit, u krijua nga shteti shqiptar në bazë të “Ligjit për Kinematografinë, nr. 8096, datë 29.04.1996, artikulli 3”. QKK u vendos në ambjentet e ish-Kinostudios gjithashtu. Pavarësisht këtij tranzicioni të vështirë, një sërë kineastësh të talentuar dolën në pah, mes tyre Fatmir Koci (TIRANA VITI ZERO; NEKROLOGJI), Gjergj Xhuvani (PARULLAT; I DASHUR ARMIK) dhe Bujar Alimani (GAS; AMNISTIA).
About
News
Press
Contact Us
​Donate
Film Preservation 
Tomka Dhe Shokët e Tij
Nëntori i Dytë
Keko's Kids
Home (Albanian)
Mission (Albanian)
History (Albanian)
Donate (Albanian)